Sunday, April 1, 2007

Vazhdojnë angazhimet...

Loja pa fitues

Vazhdojnë angazhimet...

Data 3 prill nuk duket se do të vendos për ndonjë hap vendimtar për statusin. Debati i së martës mund të vendos një mekanizëm tjetër për të konstatuar zhvillimet në Kosovë – atë të vizitës së ekipit të ambasadorëve në Kosovë. Sidoqoftë, në këtë rrjedhë zhvillimesh ndërkombëtare për Kosovën, vetë kosovarët kanë nevojë të vazhdojnë përkushtimin në punën e tyre

Shkruan: Burim Ramadani

I
Nëse shumë herë deri më tash është thënë se e tërë bashkësia ndërkombëtare i ka kthyer sytë e veshët kah Kosova, tashmë po ndodh e kundërta. E tërë shoqëria kosovare, institucionet dhe elita politike kah kthyer sytë e veshët kah bashkësia ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit i OKB-së nesër do të ketë diskutimin e parë rreth propozimit të presidentit Martti Ahtisaari për pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës. Diskutimi i 3 prillit megjithë pritjet e mëdha, duket se nuk do të prodhojë ndonjë hap përpara sa i përket përfundimit të procesit. Ndërkohë që institucionet kosovare do të kenë fjalën (për herë të parë) në Këshillin e Sigurimit, puna e tyre për çështje që lidhen me përgatitjet për kohën e pas-statusit mbetet edhe më tutje e papërfunduar. Prishtina i ka dhënë fund angazhimeve në bisedimet direkte me Beogradin, porse kanë mbetur edhe disa çështje tjera të cilat kërkojnë përkushtim të plotë të kosovarëve. Të paktën, tashmë e kemi të qartë se cila është rëndësia e vendosjes sa më të shpejtë të simboleve të shtetit të Kosovës, çështje e cila para pak vitesh konsiderohej dhe vlerësohej në kategori të ndryshme si e panevojshme, nëse jo edhe më ashpër. Porse, jo vetëm simbolet duket se janë prioritare për elitën politike në Kosovë. Puna konkrete duhet të jetë e shpejtuar edhe për Kushtetutën, ligjet, përgatitjet për zgjedhje...

II
Rrjedha e diskutimeve në Këshillin e Sigurimit më 3 prill tashmë është pothuajse e qartë. Të paktën deklarimet e udhëheqësve të vendeve që përfaqësohen në Këshillin e Sigurimit kanë treguar se ky debat nuk do të ketë pajtueshmëri të caktuar. Ambasadorët e tri vendeve anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit (SHBA, Britania e Madhe dhe Franca) do të mbrojnë qëndrimin pro ndaj propozimit të presidentit Ahtisaari, gjegjësisht pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Rëndësia e mbështetjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e këtyre shteteve padyshim se është vendimtare. Mbështetja e dy të parave ka mundësuar çlrimin e Kosovës nga regjimi Millosheviqian, rindërtimin e shoqërisë kosovare dhe përgatitjen për hyrjen në fazën finale. Kjo mbështetje do të jetë e domosdoshme edhe tash, por edhe në një periudhë të paktën afat-mesme në aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e një familjeje Perëndimore. Në anën tjetër, dy vendet tjera të përhershme në KS të OKB-së do të paraqesin qëndrime të ndryshme. Derisa ambasadori kinez me tone të buta do të shpreh rezerva ndaj planit Ahtisaari, ambasadori rus do të vazhdojë fjalitë e mbetura në gjysmë të udhëheqësve të tij Putin e Lavrov. Në mos më shumë, ai do të insistojë për vazhdimin e bisedimeve dhe përcaktimin e një ndërmjetësuesi tjetër.

III
Procesi për zgjidhjen e statusit të Kosovës është e qartë se nuk do të mund të bllokohet. Përfundimi i këtij procesi tashmë nuk kërkon edhe shumë kohë, porse kërkon edhe shumë angazhim. Përkushtimi i këtillë është parë që në ditët e para tek shtetet kryesore mike të Kosovës. Shtetet tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit, që nuk kanë veto, po ashtu do të luajnë rol të rëndësishëm në këtë fazë finale. Edhe pse disa prej tyre janë shprehur të painformuar rreth zhvillimeve në Kosovë, hapi i tyre nuk pritet të jetë në kundërshtim me vullnetin e kosovarëve. Porse, data 3 prill nuk duket se do të vendos për ndonjë hap vendimtar për statusin. Debati i së martës pritet të vendos një mekanizëm tjetër për të konstatuar zhvillimet në Kosovë – atë të vizitës së ekipit të ambasadorëve në Kosovë. Një vendim i tillë do të mund të merrej në bazë të kërkesës ruse dhe instistimit të ambasadorit rus. Mirëpo, kjo nuk do të ndryshonte diçka në vendimin e ardhshëm pro planit Ahtisaari. Në fakt, kjo do të digjte kartën e Rusisë për shkak se padyshim raporti i ekipit të ambasadorëve do të përmbajë vlerësim pozitiv për të arriturat këtu. Sigurisht se nuk do të bëhej fjalë për një mision sikur të Kai Eide-s, por një vizitë të shkurtër për vlerësimin e fakteve. Arritjet në terren janë pozitive dhe për këtë ka pasur angazhim të vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës.

IV
Në këtë rrjedhë zhvillimesh ndërkombëtare për Kosovën, vetë kosovarët kanë nevojë të vazhdojnë përkushtimin në punën e tyre. Periudha që e pret Kosovën sfidohet nga çështje të ndryshme. Ato kërkojnë procedim të shpejtë dhe zgjidhje në kohë optimale. Ta marrim për shembull çështjen e zgjedhjes së simboleve të reja shtetërore të Kosovës. Përfundimi i kësaj çështje nuk ka të bëjë vetëm në nivelin përfaqësues apo identifikues, por edhe në atë praktik. Qytetarët e Kosovës do të ndjejnë nevojën e ekzistimit të simboleve kosovare menjëherë pas përfundimit të fazës katër mujore të tranzicionit. Kur atyre do t’u duhet të nxjerrin pasaportën e Kosovës, sikurse edhe dokumente tjera, institucionet veçmë do të duhej të kishin përfunduar përzgjedhjen e simboleve. Përndryshe, me çfarë pasaporte do të pajisen kosovarët? Mungesa e përcaktimit të shpejtë të simboleve, qofshin ato edhe vetëm të përkohshme, do të ndjehet praktikisht te qytetarët e Kosovës në ditën e parë të pavarësimit. Kjo do të nxiste frustrimin apo edhe reagimin e tyre. Kushtetuta, ligjet, përgatitjet për zgjedhje e çështje të tjera po ashtu janë sfida për elitën kosovare. Riorganizimi territorial, më konkretisht, do të determinojë kohën e mbajtes së zgjedhjeve lokale e të përgjithshme në Kosovë. Prandaj, Ekipi i Unitetit, institucionet, partitë politike, mediat dhe qytetarët e Kosovës kanë ende punë për të bërë. Nuk mbaron gjithçka me pavarësimin, atëherë fillojnë angazhimet e reja.

Botuar në “Zëri” më 02 prill 2007, fq. 10

No comments: