Sunday, April 8, 2007

Shtegu dalës i misionit të pamundshëm

Loja pa fitues

Shtegu dalës i misionit të pamundshëm

Misioni fakt-mbledhës i ekipit të ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë do të merr një kohë të shkurtër në funksion të asaj që quhet blerje e kohës. Porse, ambasadorit rus në mekanizmin ekzekutiv të OKB-së nuk do t’i mbetet shumë për të folur më pas. Rezultati doemos do të jetë pozitiv dhe kjo për shkak të punës së institucioneve të Kosovës në planet dhe veprimet për standardet

Shkruan: Burim Ramadani

I
Presidentit Ahtisaari i është dhënë një mision i pamundshëm. Ky ka qenë formulimi më interesant nga politikanët joshqiptarë të rajonit të Ballkanit, kryeministrit bullgar Sergey Stanishev. Sado që mund të interpretohet në forma të ndryshme, formulimi i këtillë patjetër se ka konstatuar diçka ekzistuese. Ai duke u munduar të sqarojë qëndrimin e qeverisë së Sofjes mbi planin e kryendërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, në fakt ka përshkruar procesin nga një qasje të cilën nuk e ka pasur pothuaj askush në rajon. Misioni i Ahtisaarit sikurse është proklamuar në fillimin e procesit para mbi një viti ka rezultuar të jetë i pamundshëm. Arritja e një marrëveshje apo kompromisi sa i përket substancës së problemit midis dy palëve nuk ka qenë i mundur asnjëherë dhe as që është dashur të pritet se do të ndodh. Përshkrimi që ka dhënë kryeqeveritari bullgar do t’i futej në punë diplomacisë ruse dhe kjo mundësi nuk duhet të mos mendohet. Tek e fundit, diplomatët rus do të mund të përdorin pothuaj të njëjtin formulim në momentet kur do të jenë të detyruar të shpjegojnë abstenimin e tyre në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Qeverisë ruse nuk i kanë mbetur shumë variante për të gjetur ‘arsye’ për përdorimin vetos së tyre ndaj planit Ahtisaari.

II
Presioni i vendeve që kanë paraqitur rezerva apo kundërshtime ndaj planit të presidentit Ahtisaari i kanë dhënë edhe një shtyrje kohës së diskutimeve direkte mbi propozimin për pavarësinë e Kosovës. Misioni faktmbledhës i ekipit të ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë do të merr një kohë të shkurtër në funksion të asaj që quhet blerje e kohës. Porse, ambasadorit rus në mekanizmin ekzekutiv të OKB-së nuk do t’i mbetet shumë për të folur më pas. Rezultati doemos do të jetë pozitiv dhe kjo për shkak të punës së institucioneve të Kosovës në planet dhe veprimet për standardet. Asnjë raport i kujtdo qoftë tashmë nuk mund të gjejë diçka tjetër, pos asaj se Kosova është e gatshme për vendimin mbi propozimin e Ahtisaarit. Kjo është përcaktuar edhe në vitin 2005, kur ambasadori Kai Eide kishte vlerësuar se janë pjekur kushtet për të filluar procesi i bisedimeve. Në ndërkohë, pothuaj të gjitha vlerësimet që ka bërë administrata ndërkombëtare sa i përket përmbushjes së standardeve kanë qenë pozitive. Ta marrim shembull themelimin e nënstacioneve policore në vendet e banuara nga komunitetet pakicë apo themelimin e Këshillave Komunale për Siguri Publike. Këso shembuj do të renditen në raportin e të gjeturave nga misioni fakt-mbledhës që do të zhvillohet gjatë fundit të këtij muaji.

III
Përkushtimi i institucioneve kosovare dhe qytetarëve shumicë të Kosovës duhet të vazhdojë edhe në ditët, javët dhe muajt në vijim. Konsolidimi i angazhimeve të kosovarëve duhet t’i prijë përkushtimit të gjithmbarshëm në këtë fazë të fundit të procesit mbi pavarësimin e vendit. Kjo do të kishte dy përparësi. Së pari, do të ndihmonte në politikat e vendeve Perëndimore në mbështetje të planit Ahtisaari dhe së dyti do të krijonte një pakt të heshtur të brendshëm me qëllim të ruajtjes së stabilitetit. Kosovarët kanë nevojë më shumë se asnjëherë deri më tash për konsolidim në të gjitha aspektet e jetës politike e qytetare. Mosmarrëveshjet e paraqitura publikisht në Ekipin e Unitetit të para disa ditësh, morën një kohë relativisht të madhe të debatit të brendshëm politik. Pos debatit mbi nevojën ose aventurën e krijimit të një koalicioni të ri qeverisës, vëmendja dhe përkushtimi i brendshëm ishte edhe sa i përket stabilitetit dhe rrezikut nga protestat e brendshme. Energjia që institucionet dhe organizmat e brendshëm i kanë kushtuar këtyre dy çështjeve patjetër se ka qenë e nivelit të lartë, derisa ky përkushtim do të duhej të drejtohej në procesin mbi statusin. Tashmë jemi në pjesën e fundit të shtegut drejt pavarësimit dhe në fakt kësaj faze mund t’i thuhet edhe shtegu dalës.

IV
Përfundimi i procesit të filluar në pjesën e dytë të vitit 2005 i ka dy variante. Porse, sido që të jetë, pavarësimi i Kosovës do të kalojë vetëm përmes variantit të parë, i cili do të përcaktohet përmes Këshillit të Sigurimit. Sipas kësaj logjike të rrjedhës së zhvillimeve, Këshilli i Sigurimit do të vijë në ditët e fundit të prillit në Kosovë për misionin faktmbledhës. Më pas, gjatë pjesës së parë të muajit maj do të paraqitet raporti i këtij ekipi dhe në bazë të tij do të më pas në pjesën e dytë do të zhvillohen diskutimet e mëtejshme. Ndërsa, gjatë muajit qershor Këshilli i Sigurimit do të arrinte që përmes një Rezolute të re të pranojë planin e Ahtisaarit. Gjatë votimit të kësaj rezolute do të kishim dy abstenime, të paktën një votë kundër dhe dymbëdhjetë pro. Kjo do të hapte rrugën që Kuvendi i Kosovës të nxjerrte Deklaratën e Pavarësisë dhe kjo do të pranohej ndërkombëtarisht. Varianti i dytë i mundshëm është ai që nuk do të merrte miratimin e Këshillit të Sigurimit. Askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk do të parapëlqente këtë varinat të zhvillimeve. Deklarimi i Pavarësisë nga kosovarët, megjithëse do të mund të njihej nga një pjesë e madhe e botës, do të vë në pah probleme praktike në funksionalitet. Misioni i pamundshëm, atëherë, do të ishte emërtimi i punës së Ahtisaarit.


Botuar në “Zëri” më 9 prill 2007, fq. 10

No comments: