Sunday, May 20, 2007

Përballja e amerikanëve me Moskën

Loja pa fitues

Përballja e amerikanëve me Moskën

Bashkimi Evropian as që duhet llogaritur si faktor për të zbrapsur qëndrimin e Moskës në mënyrë që Kosova të pavarësohet në bazë të një Rezolute në KS të OKB-së. Administrata amerikane është prirëse dhe përfunduese e këtij procesi. Zbrapsja e qëndrimit rus mund të arrihet pas një takimi të drejtpërdrejtë midis presidentit Bush dhe homologut të tij, autoritarit Putin

Shkruan: Burim Ramadani

I
Një kolegë imi spanjoll më tha pak ditë më parë se Kosova nuk do të mund të fitojë pavarësinë pa pajtueshmërinë e Moskës zyrtare. Alvaro ishte i bindur se Bashkimi Evropian nuk do të mund ta gjejë fijen në tërë këtë proces nëse Rusia vazhdon të këmbëngul për të kundërshtuar draftin e Rezolutës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të njoh ose hap rrugën për Kosovën si shtet të pavarur. “Evropa nuk do të merr vendim për njohjen e shtetit të Kosovës dhe sa për ne, ju kurrë nuk bëheni shtet”, më tha Alvaro, një njohës i mirë i situatës në Ballkan. Ky spanjoll, me pak flokë në kokën e tij të madhe, ka qëndruar në Ballkan për më shumë se shtatë vjet, përfshirë këtu Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë. Gjuhët e të tri këtyre vendeve janë krejt të lehta për mikun e Ballkanit, Alvaron, ndërsa Birra e Pejës i kishte lënë shije shumë të mirë. Porse, me gjithë banalitetin në dukje, Alvaro kishte të drejtë pothuajse plotësisht. Vendet e Bashkimit Evropian janë në një gjendje jo të qartë rreth asaj që do të duhet të ndodh, përkatësisht skenarit që do të duhej për t’u ballafaquar me Moskën.

II
Në bashkësinë ndërkombëtare tashmë kemi tri lloj qëndrimesh. Qëndrimi i Moskës zyrtare, megjithëse i paqartë plotësisht, nuk ka ndryshuar dhe ajo kundërshton pavarësimin e Kosovës, ndërkaq tashmë zëri i rusëve herë-herë duket të jetë më i ashpër se në fillim të procesit të negociatave. Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Britanisë së Madhe është i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i vendosur. Administrata e presidentit Bush dhe Britania e Madhe do të njohin pavarësinë e Kosovës edhe në rast se nuk do të ketë miratim të Rezolutës në KS të OKB-së. Kjo do të thotë se SHBA-të nuk do të presin apo lusin deri në pakufi asnjë shtet që është kundër apo heziton. Qëndrimi i Bashkimit Evropian, ndërkaq, është në mes të dy të parave dhe varësisht nga shtetet anëtare, ky qëndrim luhatet prej një skaji në skajin tjetër. Prej Francës e Gjermanisë në skajin pozitiv e deri tek Sllovakia, Rumania e Spanja në skajin negativ, Bashkimi Evropian nuk ka politë të përbashkët të jashtme, sikurse nuk ka as qasje të përbashkët për t’u ballafaquar me shumë sfida.

III
Ndërkohë që vendet kryesore të BE-së kanë përkrahur planin e Ahtisarit, që do të thotë pavarësinë e Kosovës, liderët e kësaj organizate kanë humbur një rast të mirë për të ndikuar mbi pozicionin e Rusisë rreth Kosovës. Samiti dyditor BE-Rusi, që u mbajt pak ditë më parë në Samara, nuk dha ndonjë rezultat të veçantë sa i përket bashkëdyzimit të qëndrimeve midis këtyre dy palëve. BE-ja dhe Rusia kanë një varg çështjesh mbi të cilat do të duhet t’i diskutojnë dhe të arrijnë marrëveshje, në mënyrë që të hapet mundësia për përmirësimin në nivel të kënaqshëm të marrëdhënieve të tyre. Ndërkaq, Kosova është vetëm njëra prej çështjeve mospajtuese të dy palëve. Sidoqoftë, BE-ja nuk ka arritur ta vendos në njërën prej pikave kryesore të këtij Samiti edhe çështjen e pavarësisë së Kosovës. Samiti që u mbajt tash ka qenë koha dhe vendi më i mirë që BE-ja të bëntë presion maksimal mbi liderin e Rusisë për t’iu bashkuar qëndrimit të Perëndimit. Pos të tjerash, e meta më e madhe e Evropës së bashkuar është mungesa e një figure (lideri) të fuqishëm që mund të përfaqësojë të gjitha këto shtete.

IV
Në momentet më të vështira të kombit shqiptar gjatë kësaj periudhe një qind vjeçare, lideri i SHBA-ve ka vendosur për të çarë rrugën. Kjo duhet të ndodh edhe tash, derisa ky skenar në fakt duket se do të jetë opsioni i vetëm për t’i dhënë fund këtij procesi që në një mënyrë apo tjetër ka hyrë në fazën e mungesës së zgjidhjes. Për të dalë nga kjo situatë nevojitet ndërhyrja e fuqishme e SHBA-ve. Bashkimi Evropian as që duhet llogaritur si faktor për të zbrapsur qëndrimin e Moskës në mënyrë që Kosova të pavarësohet në bazë të një Rezolute në KS të OKB-së. Administrata amerikane është prirëse dhe përfunduese e këtij procesi. Zbrapsja e qëndrimit rus mund të arrihet pas një takimi të drejtpërdrejtë midis presidentit Bush dhe homologut të tij, autoritarit Putin. Një diskutim i qartë mes tyre mund të drejtojë rrugën dalëse nga kjo situatë. Tek e fundit, presidenti Bush ka fuqinë, autoritetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe guximin për ta bërë këtë. Mbështetja dhe udhëheqja amerikane për të përfunduar këtë proces më nuk është vetëm e rëndësishme, por është vendimtare, e domosdoshme dhe e patjetërsueshme.

Autori është këshilltar politik i ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall – European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 21 maj 2007, fq. 11, si dhe në të përditshmen e Tiranës "Gazeta Shqip" më 26 maj 2007, fq 11, me titull "Vetëm amerikanët e zmbrapsin Moskën" shih: http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=19244

No comments: