Monday, May 28, 2007

Rreth flamurit dyngjyrësh të bashkëjetuar

Loja pa fitues

Rreth flamurit dyngjyrësh të bashkëjetuar

Flamuri i ardhshëm i Kosovës do të duhej të ruajë dy ngjyrat kombëtare të shumicës. Për këtë, ka precedent: flamuri i TMK-së është i lejuar ndërkombëtarisht dhe ka sfondin e kuq dhe hartën e Kosovës në ngjyrë të zezë. Kjo do të ishte e arritura më e fuqishme dhe satisfaksion plotësues për shumicën

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tashmë askush në Kosovë nuk ka hezitime rreth nevojës së ‘dizajnimit’ të flamurit të ri të shtetit tonë të ardhshëm. Disa vjet më parë (jo edhe aq kohë të gjatë), kjo ishte një prej shumë tabu-temave në opinionin publik dhe politik të vendit. Edhe ato pak ide të dala në opinion nuk janë bërë në mënyrën më të duhur, ndërsa reagimet ndaj tyre nuk janë ndalur vetëm në deklarata. Djegia e një grumbulli të atij që ka marrë epitetin e ‘flamurit të Dardanisë’ në Prishtinë pak vjet më parë pati dëshmuar qartë dhe pastër mungesën e vetëdijes shtet-formuese të strukturave të ndryshme në shoqërinë kosovare. Kjo nuk përfshinë vetëm një strukturë të caktuar, porse dëshmonte pa-mjaftueshmërinë e debatit politik, publik e qytetar. Tek e fundit, ishte përgjegjësia e elitës që t’i sqarojë strukturave tjera të gjitha veprimet që duhet ndërmarrë për t’u ballafaquar me nevojat, sfidat dhe domosdoshmëritë tona si shtet i ri. U desh të kalojnë disa vjet dhe një proces mjaft i gjatë e i dhimbshëm për statusin, që njerëzit ta kenë të qartë këtë çështje.

II
Tema e flamurit kosovar aktualisht është njëra prej më të përfolurave në mediat vendore. Por, ajo nuk ka marrë përmasa më të gjera se sa Kosova dhe vërehet që askush nga organet publike apo opinion-krijuese ndërkombëtare nuk merret më këtë punë. Për këtë mund të gjenden dy arsyetime. Së pari, kjo është çështje plotësisht e kosovarëve dhe si e tillë duhet të zgjidhet nga vendorët pasi që presidenti Ahtisaari ka vënë kornizat e simbolikës së flamurit. Së dyti, Kosova nuk ka nevojë të ngutet, sepse kanë mbetur edhe disa punë për t’u bërë para se të vendoset për flamurin. Në fund të fundit, ky është një shpjegim i thjeshtë i një njohësi ndërkombëtar të Ballkanit që ma tha disa ditë më parë. Shpjegimi i tij u përballë me një reagim kosovari të frustruar për kohën e humbur deri më tash dhe mosarritjen e një konsensusi për mënyrën e veprimeve. Mungesa e simbolit kryesor të shtetit të ardhshëm të Kosovës na çon në domosdoshmërinë e krijimit të një simboli të përkohshëm, nëse duam të kemi me kohë pasaporta dhe dokumente tjera.

III
Tabuja e para disa vjetëve do të duhej të materializohej në javët në vazhdim. Kosovarët, shumica shqiptare, do të fitojnë pavarësinë, porse kanë bërë kompromise për mënyrën e ndërtimin dhe funksionimit të shtetit. Shqiptarët e Kosovës janë pajtuar që vendi të jetë shoqëri multi-etnike (koncept tjetër nga ‘shteti multi-etnik’). Kosova do të jetë shtet qytetar me respektim të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe kjo do të thotë se shqiptarët do të jenë përfaqësuesit e konceptit qytetar, derisa komunitetet tjera do të ekzistojnë si të tilla brenda këtij koncepti. Prandaj, opsioni më i mirë do të jetë që simboli i shtetit të Kosovës të përmbajë në rend të parë vlerat e konceptit qytetar, në këtë rast të përfaqësuar nga shqiptarët. Flamuri i ardhshëm i Kosovës do të duhej të ruajë dy ngjyrat kombëtare. Për këtë, ka precedent: flamuri i TMK-së është i lejuar ndërkombëtarisht dhe ai ka sfondin e kuq dhe hartën e Kosovës në ngjyrë të zezë. Kjo në fakt do të ishte e arritura më e fuqishme dhe satisfaksion plotësues për shumicën shqiptare.

IV
Tendencat për krijimin e një flamuri gjithpërfshirës do të mund të gërshetohen në këtë propozim. Shqiptarët do të ishin krenarë (dhe do të duhej të ishin) me ruajtjen e ngjyrave kombëtare. Serbët dhe minoritetet tjera do të gjenin veten në hartën e Kosovës, që do të vendosej në mes të flamurit dhe pse jo edhe në ngjyrën e kuqe, që përgjithësisht është pjesë e ngjyrave të tyre kombëtare. Në një mënyrë apo tjetër, Kosovës i duhet një koncept i “rreth flamurit dyngjyrësh të bashkëjetuar”. Faktikisht, dy elementet e këtij konceptit do të përfaqësonin të gjithë qytetarët kosovarë: dyngjyrëshi dhe bashkë-jetesa. Nëse shqiponja dykrenarëshe do të duhej të flakej, zëvendësimi më i mirë do të ishte me hartën e Kosovës. Precedenti i këtij vendimi do të ndihmonte në arsyetimin politik dhe qytetar të flamurit. Edhe TMK-ja është organizatë e përbërë nga të gjitha komunitetet e Kosovës, ndërsa serbët me gjithë hezitimet kanë filluar të jenë pjesë e kënaqshme e kësaj trupe. Në anën tjetër, minoritetet tjera nuk kanë pasur fare problem me të jetuarit në TMK.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall Center - European Center for Security Studies”

Botuar në “Zëri” më 28 maj 2007, fq. 12, si dhe në Gazetën "Shqip" në Tiranë, më 30 Maj 2007, fq. 10, shih: http://www.gazeta-shqip.com/artikull.php?id=19565

No comments: