Sunday, June 17, 2007

Bllokimi unilateral

Loja pa fitues

Bllokimi unilateral

Në rastin e pavarësimit të Kosovës edhe pa Rezolutë, nuk ka veprim unilateral për njohjen e pavarësisë nga vendet Perëndimore në krye me SHBA-të. Veprimi unilateral po ndodh nga Rusia, e cila me veton e saj në Këshillin e Sigurimit bllokon lëvizjet e vendeve demokratike për pavarësimin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Tre burra të brengosur për gjendjen në të cilën tashmë ndodhet procesi për vendosjen e statusit të Kosovës bisedonin këto ditë me qasje të ndryshme ndaj ‘fajtorëve’. I pari thoshte se bashkësia ndërkombëtare ka qenë dashur ta zgjidh statusin e Kosovës në vitin 1999 kur NATO-ja kishte bombarduar Serbinë dhe OKB-ja vendosi administrim në vend. I dyti fajësonte liderët vendorë të para, gjatë dhe pas luftës për papërgjegjësi qytetare për shkak të mosarritjes së unitetit të brendshëm politik dhe patriotik dhe për këtë shkak faktori vendor pothuajse asnjëherë nuk është llogaritur si faktor i rëndësishëm për veprime më të shpejta në këtë proces. I treti bënte kombinimin e të dy qasjeve dhe thoshte se të dyja palët janë fajtore në nivel të njëjtë. Fakt është që të tre kishin të drejtë në aspektin që ata analizonin zhvillimet, porse e vërteta është se të tre ishin injorantë. Ata dhe shumë të tjerë simplifokojnë jetën politike dhe proceset e zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore. Nuk mund të kuptojnë funksionin e sistemit ndërkombëtar, vendimmarrjen në politikë dhe nuk janë në gjendje të shohin realitetin global e lokal të ngjarjeve.

II
Tetë vjet pas tërheqjes së forcave (ky është interpretimi i përfundimit të luftës në Kosovës sipas të Drejtës Ndërkombëtare) të Serbisë, lufta politike për Kosovën ka arritur në pikë shumë të lartë. Ndërsa, realiteti ndërkombëtar është krejt ndryshe nga ai i tetë vjetëve më parë. Vitet 2000 dhe 2001 kanë ndryshuar në shumë aspekte raportet e forcave dhe zhvillimet ndërkombëtare. Në natën e fundit të vitit 1999, detyrën e presidentit të Rusisë e mori Vladimir Putin, një ish-zyrtar i Shërbimit Sekret rus, i cili për më pak se tetë vjet e ka sjellë Federatën në një prej aktorëve kryesorë të sistemit ndërkombëtar. Studiuesit tashmë diskutojnë tezën e rifillimit të Luftës së Ftohtë, derisa shumë prej tyre mundohen të argumetojnë se kjo është ‘fazë e marrëdhënieve të tensionuara’. Në anën tjetër, SHBA-të të tronditura nga 11 shtatori 2001, po udhëheqin Luftën globale kundër Terrorizmit, porse kundërthëniet me Rusinë nuk janë të pakta dhe janë parimore. Raketat në Poloni e Çeki, Irani, terrorizmi, Iraku, energjia, Kaukazi etj. janë disa nga kundërthëniet e tashme SHBA-Rusi, të cilave i shtohet edhe pozicionimi i ngurtë ndaj çështjes së Kosovës.

III
Tentativa ruse për bllokimin e pavarësinë së Kosovës është akt unilateral dhe kjo duhet të largojë nga fjalori politik vendor fjalën veprim unilateral të shteteve Perëndimore për njohjen e shtetësisë sonë. Bllokimi që vjen nga Rusia është unilateral dhe nuk merr parasysh qëndrimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare relevante dhe shteteve tjera me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Njohja e pavarësisë së Kosovës edhe pa Rezolutë nuk është skenar i veprimeve unilaterale, bllokimi nga vetëm një shtet është i tillë. Tek e fundit, propozimi për pavarësinë e Kosovës është dhënë nga i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtiaari, dhe atë e përkrahin të gjithë, pos Rusisë dhe natyrisht Serbisë. Vendet tjera me të drejtë veto kanë përkrahur pavarësinë, Kina nuk ka marrë ndonjë pozicion të qartë, ndëra vendet veç e veç tashmë kanë vënë Kosovën në prioritetet e politikave të tyre të jashtme dhe përkrahin pavarësinë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja mbështesin pavarësinë dhe janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë që do t’i kenë në të ardhmen.

IV
Tek e fundit, pse duhet të themi se njohja pa Rezolutë është veprim që shkel OKB-në? Po të dëgjojmë interpretimin e juristëve fanatikë, kjo do të kuptohej ashtu, mirëpo realiteti politik nuk është plotësisht realitet juridik dhe si i tillë ai duhet të shihet i kombinuar edhe me realitetin ekonomik, shoqëror, atë të fuqisë dhe të zhvillimit të procesit. Me një veto bllokuese Rusia po luan rolin e vepruesit sipas interesave të caktuara të brendshme apo të jashtme, porse jo ndërkombëtare – rol të cilin do të duhej ta kishte në mesin e priroiteteve të politikës së saj të jashtme. Sidoqoftë, Kosova duhet të pavarësohet më së largu deri në shtator të këtij viti, prandaj jemi duke hyrë në fazën kur shtetet Perëndimore nuk do të interesohen për Rezolutën si paraprirëse të pavarësisë, por do të kujdesen për pavarësinë si paraprirëse të një Rezolute të caktuar. Megjithatë, në rast të pavarësimit pa Rezolutë kujdesi në terren duhet të jetë vërtetë i shtuar dhe për këtë duhet ta marrin përgjegjësinë shtetet Perëndimore dhe kosovarët. Kosova duhet të njihet në kufijtë ekzistues dhe ata nuk do të duhet të jenë të prekshëm në asnjë mënyrë.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar në “Zëri” më 18 qershor 2007, fq.

No comments: