Sunday, June 10, 2007

Fundi i pritjes

Loja pa fitues

Fundi i pritjes

Kundërshtimi i fuqishëm i Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, që u pa qartë në këto ditë, pos faktit se ka thyer shpresat për miratimin e shpejtë të Rezolutës, ka një anë pozitive. Tashmë pastër dihet kush duhet të prijë në zhvillimin e ngjarjeve. Vetë presidenti Bush tash është lojëtari kryesor. Dështimi i tij nuk duket i mundshëm. Siç tha ai, “Time is up”. Tashmë, janë dy mundësi për pavarësimin e Kosovës

Shkruan: Burim Ramadani

I
Kur mediat njoftuan pak ditë më parë se një opsion tjetër është dhënë në Samitin e G8-s për të pritur edhe gjashtë muaj vendosjen e statusit të Kosovës, e para gjë që më ka ra në mend ishte telefonata. Me telefon në dorë mbeta me minuta të tërë. Problemi ishte se nuk dija çfarë t’i them atyre që doja t’u telefonoja. Në gjendjen emocionale në të cilën isha, vështirë se nuk do të mvështesja opsionin e mbushjes së rrugëve me njerëz. Prandaj, qetësimi i ndjenjave ishte i domosdoshëm, edhe pse i vështirë. Kjo në fakt duket se ka qenë e ngjashme me shumë njerëz në Prishtinë, të cilët po ashtu nuk dinin çfarë të thonin. Tek e fundit, çfarë do të thoshin ata që dilnin në publik dhe përcaktonin madje datat e përfundimit të procesit? Që maji nuk qenka, por as fillimi i qershorit? Mendova se niveli i njerëzve matet jo duke folur shumë para të tjerëve, por duke dëgjuar me kujdes të tjerët, prandaj vendosa të dëgjoj edhe më tutje raportet e agjencive të mëdha ndërkombëtare të lajmeve. Pritja e një individi për disa minuta nuk ishte e ndonjë rëndësie të veçantë – tashmë kishim të bëjmë me opsionin e pritjes si popull edhe për të paktën gjashtë muaj.

II
Kosova tashmë është mësuar dhe ka ‘sanksionuar’ një vlerë shoqërore të saj - Pritjen. Kemi pritur me vite të tëra largimin e forcave dhe administratës okupuese serbe nga Kosova. Kemi pritur disa vjet për të parë idetë e para për mënyrën e daljes nga status-quoja e krijuar në vend gjatë administrimit ndërkombëtar. Kemi pritur me muaj të tërë vlerësimet pozitive nga Këshilli i Sigurimit për punën në përmbushjen e standardeve si exit-strategy dhe për fillim të negociatave. Kemi pritur më shumë se dhjetë muaj përfundimin e ‘pjesës së parë’ të negociatave dhe rreth tre muaj paraqitjen publike të planit të presidentit Ahtisaari. Kemi pritur gati gjysmë viti përfundimin e ‘pjesës së dytë’ të negociatave mbi statusin e vendit, përkatësisht negociatave midis ‘big brothers’-ve të globit. Gjatë tërë këtyre pritjeve kemi bërë, si popull, atë që kemi mundur të bëjmë më së miri. Kjo, përveç angazhimeve, përfshin edhe faktin se jorrallë herë kemi bërë sehir. Në përgjëthësi, si popull kemi treguar mjaft pastër se meritojmë një pavarësi të mbikëqyrur për një kohë të caktuar, madje mundësisht edhe në fushat jashtë planit të Ahtisaarit.

III
Kundërshtimi i fuqishëm i Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, që u pa qartë në këto ditë, pos faktit se ka thyer shpresat për miratimin e Rezolutës ka një anë pozitive. Tashmë pastër dihet kush duhet të prijë në zhvillimin e ngjarjeve dhe në çfarë niveli. Vetë presidenti amerikan Bush tash është lojëtari kryesor. Dështimi i tij nuk duket i mundshëm. Ai e tha të shtunën në Itali se ‘time is up’ (koha përfundoi), ndërsa kjo mund të interpretohet se tashmë jemi në minutat shtesë të lojës dhe duhet referuar fundin e pritur. Fuqia e ekipit që do të jetë fitues është mëse e qartë, madje edhe nëse duhet përdorur kondicionin e fundit të lojëtarëve. Një lojtar dhe kapiten ekipi i kalibrit të presidentit Bush çon ekipin drejt fitores së padiskutueshme, porse nuk e lë atë të shkojë në penallti. Thënë shkurtë, pozicionimi i tillë i ngurtë refuzues i ka bindur pjesën demokratike të bashkësisë ndërkombëtare për nevojën dhe pashmangshmërinë e veprimit të saj konkret dhe të pamëdyshëm për pavarësinë e Kosovës. Kjo duhet të ndodh brenda një kohe të shkurtër dhe të përshtatshme.

IV
Kurdo që është e nevojshme, diplomacia duhet të jetë në funksion, prandaj mundësitë e parashikueshme për një miratim të rezolutës megjithatë nuk janë zhdukur të gjitha. Në një mënyrë apo tjetër, këtë e tha presidenti Bush në Tiranë. Një takim mjaft i rëndësishëm do të ndodh më një dhe dy korrik në SHBA, kur mysafir i kapitenit të ekipit për pavarësinë e Kosovës do të jetë presidenti rus. Takimi Bush-Putin definitivisht do të bëjë përfundimtare pozicionet. Janë dy mundësi për të vendosur për statusin pa pritur edhe një kohë të gjatë. Mundësia e parë është që Putin të jep sinjale të përcjella me garanci se Rusia nuk do të bllokojë Rezolutën në shtator të këtij viti, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i pavarur pa komplimet që mund të dalin nga mungesa e rezolutës. Mundësia e dytë është Putin të vazhdojë kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të hapte rrugën e veprimit pa Rezolutë. Kosova pas këtij takimi, sipas këtij skenari të mundshëm, do të duhej të shpallë pavarësinë dhe këtë ta njohin një numër i shteteve demokratike në krye me SHBA-të. Në një skenar të tillë, nuk ka çka të pritet më. Këtë e tha qartë edhe presidenti Bush.

Autori është këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe pjesë e stafit akademik të UP-së, ndërsa gjendet për specializim në “George C. Marshall - European Center for Security Studies” në Gjermani

Botuar më 11 qershor 2007 në “Zëri” – Prishtinë, fq. 14

No comments: