Thursday, August 13, 2009

PDK dhe Internacionalja Socialiste

PDK-ja dhe Internacionalja Socialiste

Të shpallësh dhe të mbrosh me arrogancë shkeljen e konkurrencës së lirë përmes ‘tenderit të mishit’, të shtypësh fjalën e lirë, të angazhohesh për ‘drejtësi sociale’, dhe të marrësh pjesë e të aplikosh për anëtarësim në Internacionalen Socialiste, nuk të lë të jesh i djathtë. PDK-ja e sotme nuk ka pse të mohojë orientimin dhe traditën e majtë. Nëse dikush aty nuk ndihet i majtë, është mirë të rishqyrtojë pozicionin e vet

Shkruan: Burim RAMADANI

Politika kosovare, sikurse edhe Kosova në tërësi, ka hyrë në një fazë të re. Si shoqëri dhe si shtet, ne tashmë jemi përballë prioritetizimit të nevojave ndryshe nga vitet e kaluara.
Sikurse është e qartë, zhvillimet shoqërore dhe politike mund të jenë të shpejta, konstante dhe të ngadalshme. Kjo varet në masë të madhe nga rrethanat, koha dhe vendi, por në mënyrë përcaktuese varet nga njerëzit. Kosova ka nevojë të madhe për zhvillim të përgjithshëm, pra në të gjitha fushat e jetës. Realisht, parakushtet bazike janë të volitshme për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shpejtë të Kosovës. Këtu sigurisht përfshihet ndërtimi i shtetit funksional, sundimi i ligjit, demokratizimi i shoqërisë, profilizimi dhe modernizimi i partive politike, konsolidimi i shoqërisë civile, zhvillimi ekonomik dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës. Të gjitha këto kërkojnë dije, mund, energji, angazhim dhe substancë, por mbi të gjitha kërkojnë vullnet politik të elitës.
E njëjta ndodh edhe me partitë politike, si organizime vullnetare me mision ndërtimin dhe udhëheqjen e qeverisjes së niveleve të ndryshme. Kosova, tashmë rreth një vit e gjysmë pas pavarësisë, duket se është drejtuar kah një proces tejet i rëndësishëm i zhvillimit dhe përparimit shoqëror. Ky proces është profilizimi dhe modernizimi i partive politike. Duhet thënë qartë se ky do të jetë një proces jo i lehtë dhe i kushtueshëm në aspektin e investimeve të burimeve njerëzore, përvojës dhe konsulencës së jashtme. Por, sigurisht se do të pajtohemi të gjithë se kjo është e domosdoshme nëse duam që të ndërtojmë ardhmërinë tonë Perëndimore.
I dukshëm është fakti se disa parti politike në Kosovë do të kenë vështirësi më të mëdha në konceptimin, modelimin dhe zbatimin e profilizimit dhe modernizimit të brendshëm të tyre, derisa disa parti të tjera kanë premisa më të mira të këtij drejtimi.

Është, po ashtu, e dukshme se ka parti politike që kanë vendosur tashmë linjat e qarta të rrugës që duan ta ndjekin dhe po bëjnë veprime konkrete në atë drejtim, sikurse është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Cili është në të vërtetë orientimi i AAK-së?
Si parti politike, AAK-ja është duke kaluar me sukses fazën e reformave të brendshme kuadrovike, pas atyre strukturore. Ndryshimi dhe zhvillimi ka ndodhur në AAK, prandaj kjo parti është e përgatitur për të ndryshuar dhe zhvilluar Kosovën. Si parti e orientuar kah qendra e djathtë, AAK-ja ka vendosur katër aspekte domethënëse përcaktuese konceptuale në të cilat bazon vizionin e saj: 1) zhvillimi i demokracisë dhe besimi në vlerat e saj; 2) ekonomia e tregut të lirë dhe konkurrenca e lirë; 3) afirmimi i vlerave kombëtare, shtetërore dhe të traditës; si dhe 4) integrimi euro-atlantik i Kosovës.
Të katër këto aspekte, paraqesin bazamentin e fuqishëm për zhvillimin e AAK-së në drejtim të familjes së madhe të partive të djathta tek shqiptarët dhe Perëndimi. Planet qeverisëse të AAK-së, që janë hartuar e po avancohen për çdo ditë e më shumë nga ekspertë të njohur vendorë e ndërkombëtarë, nuk shkelin asnjëherë dhe në asnjë mënyrë parimet përcaktuese konceptuale partiake, të bazuara në orientimin e djathtë. Aspekti i përcaktimeve në kuadër të ekonomisë, normalisht, është prijës në politikat dhe vizionin e konsoliduar tashmë të AAK-së.
Si parti dinamike që është, AAK-ja nuk ka qasje statike ndaj probleme. Në krahasim me qeverinë e tashme nacionale, AAK-ja dallon në parim nga qasja se si duhet zhvilluar proceset, përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve dhe zgjidhur problemet.

Por, përderisa AAK-ja me vizionin e ri dhe ndryshimet që kanë ndodhur është në orientim të qartë ideologjik të djathtë dhe po ashtu ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Partinë Demokratike të kryeministrit të Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, dhe me tri parti tjera shqiptare të djathta (në Maqedoni, Preshevë dhe Kosovë), disa parti tjera kosovare ende nuk kanë qartësuar as për veten e vet se cili është orientimi që do ta marrin.
Madje, ka edhe aso parti politike që kanë kontradikta tepër të mëdha mes asaj që ndjejnë se janë dhe asaj që synojnë të jenë. Për më tepër, ka edhe aso parti politike që kanë probleme të mëdha konceptuale mes individëve që përfaqësojnë partinë në publik. E tërë kjo tregon për një gjendje jo të lakmueshme të shumë partive politike në Kosovë, të cilat kanë dëshmuar deri më tash se janë udhëhequr dhe qëndrojnë bashkë vetëm mbi interesin për të qenë në pushtet.
Për modelin e fundit, më së miri mund të merret shembull Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Njerëzit kryesorë të saj tashmë kanë hyrë në një fazë ku duket se pos interesit të pushtetit nuk i mban më asgjë tjetër afër njëri-tjetrit. As vlerat, as koncepti, as ideologjia, as e ardhmja.
Për shkak të kësaj gjendjeje, tashmë ka filluar që edhe në opinion të shihet përplasje e fuqishme konceptuale të njerëzve të partisë. Disa në PDK thonë se “ne jemi të majtë dhe angazhohemi për drejtësi sociale”, ndërsa të tjerët thonë se “jemi të djathtë, sepse po privatizojmë çdo gjë”, derisa të tjerët marrin pjesë në Interancionalen Socialiste (në Panel të njëjtë me Edi Ramën dhe Boris Tadiqin) që në vitin 2006.

Për ata që kanë harruar (apo edhe bëhen si të tillë), duhet ritheksuar faktin se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e Internacionales Socialiste, mbajtur më 30 dhe 31 janar 2006 në Athinë. Përpos faktit se vet pjesëmarrja ka treguar qartë orientimin e kësaj partie, zëdhënësja e atëhershme e PDK-së, Vlora Çitaku, më 6 shkurt 2006, në gazetat e përditshme kosovare, pati thënë: “Programi dhe koncepti ideologjik i PDK-së është shumë i përafërt me përfaqësueset më të denja të socialdemokracisë evropiane… PDK në këtë drejtim i ka intensifikuar hapat e bashkëpunimit me këto parti, por edhe me vetë Internacionalen Socialiste, në të cilën edhe ka aplikuar për t’u pranuar si anëtare me të drejta të plota”. Ky konstatim asnjëherë nuk është përgenjështruar nga PDK-ja, as kur ka qenë në opozitë, as sot në qeveri.

Madje, gjatë kohës së qeverisë së tashme, kanë ndodhur veprime që të fusin frikën e të jetuarit në një shtet normal demokratik (edhe nëse qeveria është e majtë). I tillë është vendimi për monopolizimin e importit të produkteve me origjinë shtazore, i njohur në opinion si ‘tenderi i mishit’. Realisht thënë, për njerëzit e formuar dhe të informuar shqetësimi më i madh nuk ka qenë vendimi për të shpallur një tender të tillë, sado që ka shkaktuar dridhje tek mijëra familje dhe dhjetëra biznese kosovare. Tepër shqetësues ka qenë fakti se në Kosovë ende (edhe në vitin 2009) ekziston mentaliteti i tenderit të mishit, logjika e qeverisjes së monopolit, logjika e shkeljes të të gjitha standardeve dhe kritereve të ekonomisë së tregut të lirë, kurajo për të mbytur konkurrencën, logjika e dhunimit të të gjitha të arriturave të deritashme të Kosovës në bashkëpunim me vendet perëndimore. Kjo logjikë është tmerruese, jo vetëm shpallja e tenderit si veprim.


Madje, për të ofenduar inteligjencën e qytetarëve të Kosovës, njerëz që marrin këso lloj vendimesh komuniste dhe që mbrojnë me arrogancë ato, deklarohet se bëjnë politika të djathta. Kjo, dukshëm, nuk është mënyra më e mirë e të bërit politikë.
Të shpallësh dhe të mbrosh me arrogancë shkeljen e konkurrencës përmes ‘tenderit të mishit’, të shtypësh fjalën e lirë, të angazhohesh për ‘drejtësi sociale’, dhe të marrësh pjesë e të aplikosh për anëtarësim me të drejta të plota në Internacionalen Socialiste, nuk të lë të jesh i djathtë.
PDK-ja e sotme nuk ka pse të mohojë orientimin dhe traditën e majtë. Nëse dikush aty nuk ndihet i majtë, është mirë të rikonsiderojë pozicionin e vet.

Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Botuar në Koha DITORE, më 14 gusht 2009, fq.11.

No comments: