Monday, July 9, 2007

Pse duhet apo nuk duhet mbajtur zgjedhjet?

Loja pa fitues

Pse duhet apo nuk duhet mbajtur zgjedhjet?

Ekzistojnë dy grumbuj argumentesh për dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve para vendimit mbi statusin. Të gjitha argumentet kanë vlerë, porse duhet parë me kujdes zhvillimet e mëpasshme. Në situatën të cilën jemi, nuk duhet humbur kohë për të gjetur një mes, por duhet vendosur për njërën qasje. Ja disa nga argumentet pro dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve

Shkruan: Burim Ramadani

I
Para tri vjetësh është menduar se ky mandat i institucioneve të përkohshme të vetë-qeverisjes do të jetë i fundit, bile edhe se nuk do të arrihet të skadojë si rezultat i vendimit për shtetësinë e Kosovës. Kjo do të krijonte hapësirën për krijimin e institucioneve pa përkohshmëri në përkufizim juridiko-kushtetues. Sidoqoftë, në mesin e vitit 2007 shoqëria dhe elita kosovare përballet me një sfidë jo të lehtë dhe vështirë të menaxhueshme: nevojën për mbajtjen apo mosmbajtjen e zgjedhjeve, para së gjithash nacionale, por duke mos zhvleftësuar ato lokale. Mosvendosja për pavarësimin e Kosovës shkakton një lëkundje të brendshëm, i cili nëse nuk menaxhohet mirë mund të arrijë shkallë të ndonjë tërmeti politik dhe/apo social. Shtyrja e dytë e madhe e procesit të statusit të vendit doemos i ka lënë (krijuar) hapësirë sfidës së zgjedhjeve. Ekzistojnë dy grumbuj argumentesh për dhe kundër mbajtjes së zgjedhjeve para vendimit mbi statusin. Të gjitha kanë vlerë, porse duhet parë me kujdes zhvillimet e mëpasshme.

Pro zgjedhjeve
II
Institucionet qeverisëse të një vendi (që pretendon të jetë) demokratik duhet të kenë sistem të rregullt të zgjedhjeve, përmes së cilave ato marrin përkrahjen e qytetarëve. Në këtë rast, si sistem jo perfekt, por më i miri i parë në historinë e njerëzimit, demokracia ka zgjedhjet e lira dhe të drejta si një prej shtyllave kryesore të saj. Pse mbahen zgjedhjet? Cila është rëndësia e saj? Edhe pse këto në fakt janë pyetje që nuk të marrin përgjigje si të vetme dhe jashtë kontekstit, sidoqoftë vlera kryesore e zgjedhjeve është qeverisja e popullit përmes përfaqësuesve të zgjedhur për një afat të caktuar varësisht nga dhe në bazë të dispozitave në fuqi. Pra, mandati juridiko-kushtetues i institucioneve qeverisëse duhet të jetë i kufizuar dhe janë vërtetë të rralla mundësitë e zgjatjes së këtij afati. Sipas kësaj qasje, qeverisja në tërësi në Kosovë përballet me humbjen e mandatit juridiko-kushtetues. Në fakt ne kemi qeverisje lokale të zgjatur afati në bazë të një vendimi të shefit të UNMIK-ut, që nuk përfaqëson përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për përfaqësuesit e tyre.

III
Procesi i statusit megjithëse është interes yni nacional, nuk është pengesë vendimtare për mbajtjen e zgjedhjeve. Këto ditë që po qëndroj në Uashington DC, në kuadër të një vizite studimore për çështje të sigurisë, e kuptoj gjithnjë e më shumë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqësojnë nivelin më të lartë të zhvillimit të demokracisë. Duke shikuar lajmet për rekordin e Obama-s në ngritjen e fondeve gjatë fazës së parë të fushatës për kandidim për president të SHBA-ve nga demokratët, mund të vërehet qartë se SHBA-të pavarësisht situatës në të cilën gjenden vazhdojnë të kultivojnë dhe respektojnë rregullat dhe normat demokratike. “Amerika në luftë”, thuhet në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë të SHBA-ve, të marsit 2006. Kjo ka të bëjë me gjendjen e luftës që SHBA-të i kanë shpallur çmendurisë së shekullit të ri, terrorizmit. Vendi ynë në asnjë dokument të vetëm nuk e ka të përcaktuar se është në luftë apo se është në situatë të jashtëzakonshme dhe ku nuk ka kushte për mbajtjen me rregull të zgjedhjeve. Prandaj, procesi i statusit si i tillë nuk mund të jetë vendimtar për shtyrjen e zgjedhjeve.

IV
Precendenca e shtyrjes së afatit të mandatit të institucioneve lokale mund të jetë edhe më e rrezikshme se sa që është nëse ajo aplikohet edhe për zgjedhjet nacionale. Në situatën e tanishme është shefi i UNMIK-ut ai që merr vendim, porse përkrahjen për këtë duhet arritur nga partitë kryesore politike të vendit. Edhe nëse kjo nuk do të shkaktonte ndonjë krizë në ditët e sotme, mundësia për përsëritjen e një vendimi të tillë në të ardhmen duhet marrë parasysh. Në një rast hipotetik, të themi se pas nëjzet vjetësh të gjitha partitë krysore të vendit do të ishin pjesë e koalicionit qeverisës, ndërsa udhëheqja e tyre do të ishte e interesuar të vazhdojë pa ndryshime. Shfrytëzimi i precendes për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve do të mund të lidhej me arsye nga më të ndryshmet, edhe pse në atë kohë ne të paktën do të duhej të ishim në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian (nëse kjo organizatë do të kishte qasje të njëjtë me të sotmen). Arsyet e shfrytëzimit të kësaj nuk mund të parashikohen, sikurse nuk mund të parashikohen sfidat me të cilat do të përballemi si shoqëri dhe si shtet.

Kundër zgjedhjeve
V
Në bazë të pikëpamjes që kundërshton mbajtjen e zgedhjeve para vendosjes për pavarësimin e Kosovës, janë disa elemente të rëndësishme që lejojnë interpretimin e kësaj situate si vazhdim të mandantit juridiko-kushtetues të institucioneve dhe jo si shtyrje të zgjedhjeve. Padyshim se pothuaj të gjitha argumentet lidhen me procesin e statusit të Kosovës dhe kjo nuk është larg mendësh. Tek e fundit, i tërë ky debat po bëhet për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi dhe jo rreth orientimit të qytetarëve dhe elitës drejt demokracisë. Sidoqoftë, në këtë aspekt duhet marrë parasysh zhvillimet e mëpasshme që rezultojnë nga zgjedhjet, sikurse në po të njëjtën masë edhe në zhvillimet para zgjedhjeve. Në fakt, argumentet që mbështesin tezën kundër mbajtjes së zgjedhjeve para vendimit mbi statusin, bazohen kryesisht në qasje praktike, derisa ato pro zgjedhjeve kanë më shumë qasje teorike dhe parimore. Në situatën të cilën jemi, nuk duhet humbur kohë për të gjetur një mes, por duhet vendosur qartë dhe pastër për njërën qasje.

VI
Në rend të parë të argumenteve kundër mbajtjes së zgjedhjeve padyshim se vëhet rrezikshmëria që mund të sjellë në procesin e pavarësimit të vendit fokusimi në politikën e brendshme para dhe pas zgjedhjeve. Partitë kryesore politike që përfaqësohen në Ekipin e Unitetit do të jenë kundërshtare të njëra-tjetrës në terren, derisa gjatë fushatës do të flitet edhe për çështje krejt personale që kanë ndodhur gjatë procesit të bisedimeve në Vjenë, sikurse edhe gjatë takimeve në Prishtinë. Mungesa e kapaciteteve njerëzore profesionale është një argumet tjetër që i bashkohet kësaj pike. Fatkeqësisht, partitë politike në vend janë jashtë mundësive për angazhim efektiv në të dy proceset, edhe në zgjedhje edhe në status. Tek e fundit, shoqëria kosovare është në krizë të kapaciteteve profesionale dhe kjo përfaqësohet edhe në partitë politike. Pastaj, të imagjinojmë situatën kur pas zgjedhjeve nuk mund të krijohet qeveria e re. Nëse vazhdon ky trendi i përqindjes së partive më të mëdha, debatet për krijimin e qeverisë së re mund të jenë të gjata dhe vështirë të suksesshme.

VII
Numri definitiv i komunave dhe obligimet që Kosova merr nga Plani i Ahtisarit formësojnë një argument tjetër kundër mbajtjes së zgjedhjeve para pavarësisë. Cili do të jetë territori i komunave që tashmë Kosova është pajtuar të pësojnë ndryshime? Në bazë të kësaj, zgjedhjet praktikisht nuk mund të mbahet para se të bëhet riorganizimi i brendshëm territorial i Kosovës, përkatësisht para se të krijohen komunat e reja, sikurse është paraparë në planin e Ahtisarit. Mbajtja e zgjedhjeve bazuar në organizimin e tashëm territorial nënkupton domosdoshmërinë e ri-mbajtjes së zgjedhjeve në një numër jo të vogël të komunave pas pavarësisë dhe hyrjes në fuqi të planit të Ahtisarit. Pastaj, sfidë tjetër në këtë kontekts është edhe pjesëmarrja e minoritetit serb në zgjedhje, sikurse edhe obligimet kushtetuese që duhet të merr Kosova në bazë të planit të Ahtisarit. Këto obligime do të mund të jetësoheshin me shumë më pak probleme pas zgjidhjes së statusit sesa në situatën e tashme. Po ashtu, do të vazhdonin si të pazgjidhura problemet me votimet e qytetarëve të Kosovës që gjenden në mërgim.

VIII
Numërimi apo regjistrimi i popullatës dhe harxhimet e mëdha financiare gjatë kësaj kohe janë një argument tjetër në përkrahje të vazhdimit të mandatit të qeverisjes së tashme. Zgjedhjet e deritashme janë mbajtur pa regjistrim të popullatës, ndërsa kjo nuk do të duhej lejuar të ndodh sërish duke pasur parasysh problemet praktike me votimet sidomos të pjesëtarëve të minoritetit serb të Kosovës që jetojnë në vendet në regjion. Po ashtu, një grumbull i madh i të hollave të taksapaguesve kosovarë do të shpenzohej për një kohë të shkurtër. Kjo për shkak se menjëherë pas pavarësimit të vendit do të duhej të fillohej puna në organizimin e zgjedhjeve tjera, të paktën domosdoshmërisht në komunat e reja. Nëse në zgjedhjet e tashme do të aplikohej sistem tjetër i zgjedhjeve, atëherë ato do të duhej të rimbaheshin për nivel qendror dhe lokal në komunat e reja pas pavarësisë. Pos angazhimeve, mundit, fokusimit në politikë të brendshme, mundësisë së krizës parlamentare, mundësive të vogla për të nxitur serbët të marrin pjesë, zgjedhjet në këtë kohë do të kishin edhe kosto të lartë.

Botuar në “Zëri” më 9 korrik 2007, fq. 12

No comments: