Wednesday, March 19, 2014

MJEGULLA E TRIBUNALIT

Mjegulla e Tribunalit


BURIM RAMADANI


Gjithçka e mjegullt. Nuk ka qartësi dhe nuk ka saktësi. Shumë përfolje, spekulime dhe thashetheme. Por, pothuajse askush nuk i ka përgjigjet e domosdoshme për zhvillimet e shpejta që mund të ndodhin në Kosovë.

Fjala është për të ashtuquajturin Tribunali për krimet e ndodhura në Kosovë gjatë periudhës 1998-2000. Tribunali që mund të vendoset jashtë Kosovës dhe që do të mund të ketë për subjekt hetimin e thashethemeve të ngritura në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.

Derisa spekulimet dhe thashethemet e kanë kapluar Kosovën, koluaret janë të vetmet adresa ku njerëzit spekulojnë me të vërtetën e mundshme. Vetëm koluaristët pretendojnë të kenë përgjigjet në shumëçka për apo rreth kësaj ideje për të ashtuquajturin Tribunal. Zyrtarët dhe diplomatët thonë të kenë mangësi të mëdha të informatave rreth kësaj. Politikanët seriozë janë të shqetësuar thellësisht ndikimin e keq të kësaj ideje në raport me shtetin e Kosovës, ndërsa qytetarët janë të mërzitur me këtë sistem të hedhjes në ajër të “proceseve” të panjohura dhe të pazbërthyera.

Sikurse pyetjet themelore në gazetari, po ashtu pyetje themelore duhet të ngritën edhe rreth kësaj ideje, për mua të çmendur: Tribunalit për Kosovën.

Çka? Pse? Ku? Kur? Dhe, Kush?

ÇKA po duan të arrijnë me këtë Tribunal? Ndëshkimin e Kosovës që ka luftuar për të drejtat e veta dhe për lirinë e popullit apo çmimin që duhet ta paguajë Kosova për projektet e ardhshme të cilat edhe më tutje mbesin të pazbërthyera? Në cilindo version, nuk ka përgjigje në pyetjen Çka? Pastrimin me të kaluarën? Nuk e besoj. Kosova ka pastruar të kaluarën e vet, madje e ka të pastër dhe pa dilema. Populli i Kosovës, i udhëhequr nga UÇK-ja, ka luftuar për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të arritur lirinë, që është vlerë themelore e njeriut dhe e popujve.

PSE po duan të krijojnë këtë Tribunal? Çfarë nevoje ekziston që populli i Kosovës të mbetet në rrethana lufte edhe 15 vjet pasi ka përfunduar lufta çlirimtare? Kujt i konvenon kjo dhe pse po bëhet? Në asnjë rrethanë dhe në asnjë përgjigje serioze nuk del as edhe një argument i vetëm që Kosova duhet të kalojë nëpër një situatë të këtillë të rëndë, të padrejtë dhe të ndjeshme. Sepse, Serbia apo Rusia po e kërkojnë këtë apo sepse partnerët perëndimorë përballen me akuza për “fshehje” të së vërtetës në Kosovë? Kjo e fundit nuk ekziston fare. E vërteta në Kosovë është dëshmuar në Tribunalin e Hagës, ku udhëheqës të Qeverisë së Serbisë dhe ish-Jugosllavisë janë dënuar për dhunën dhe krimet që kanë bërë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Vetëm kjo është e vërteta. Asgjë tjetër. Në anën tjetër, Serbia dhe Rusia mund të kenë kërkuar në vazhdimësi gjëra të tilla të çmendura, por kjo mbeten vetëm e tillë: çmenduri.

KU do të vendoset një mekanizëm i tillë? Spekulimet vazhdojnë dhe thellohen çdo ditë e më tepër. Jashtë apo brenda Kosovës? Aty apo këtu? Së pari, asnjë argument nuk qëndron se një mekanizëm i tillë duhet të bëhet jashtë Kosovës. Tek e fundit, këtu është EULEX-i, këtu është KFOR-i. A nuk ka dërguar BE-ja një Mision të veçantë, më të madhin në historinë e vet, për Sundim të Ligjit? A nuk është ky Mision një ndihmë e madhe me ekspertizë dhe neutralitet profesional për institucionet e drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit në Kosovë? Është e qartë se EULEX-i nuk ka arritur pritjet e qytetarëve të Kosovës në krim të organizuar dhe korrupsion, por nuk është Kosova fajtore për këtë!

KUR do të qartësohet gjithçka rreth këtij të ashtuquajturit Tribunal? A ka afat? Deri kur do të mbahet situata e tensionuar brenda Kosovës për diçka që të gjithë jemi të bindur se nuk është asgjë më shumë se sa një çmenduri. Kjo çmenduri duhet të kalojë sa më shpejtë. 

KUSH do të merr vendimin për të gjithë këtë? Kuvendi i Kosovës? Nuk e besoj se mund ta bëjë këtë! Nuk e besoj se dëshiron ta bëjë këtë! Tek e fundit, askush nuk besoj se është i vullnetshëm të hyjë në këtë “matematikë”.

Thjesht, mjegulla duhet të hiqet. Qartësia në situatë të këtilla është e domosdoshme. Nuk mund të lëvizet në terr dhe mjegull. Kështu nuk i ndihmohet Kosovës.  


(Autori është Sekretar i Përgjithshëm dhe deputet i AAK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)
Botuar në TRIBUNA, më 20 mars 2014

No comments: