Thursday, March 13, 2014

RUTINA DËMTON

Rutina dëmton


BURIM RAMADANI

Shteti nuk është mirë. 
Qeverisja është e keqe. 
Qytetari është në hall.

Të tri këto elemente, një nga një dhe kur të bëhen bashkë, dëshmojnë të vërtetën e saktë të aktualitetit politik, ekonomik dhe shoqëror që mbizotëron në Kosovë. Të keqes në tri perspektiva. Të aktualitetit të vështirë me të cilin po përballen për çdo ditë qytetarët e Kosovës. Të zhytur në kredi bankare, me të ardhura jo stabile, sikurse edhe me rritjen e çmimeve në mënyrë të vazhdueshme.

Zhvatja nuk ka të ndalur. Këtë e bën Qeveria, këtë e bëjnë sekserët e qeveritarëve, e bën administrata, e bëjnë Bankat, po vazhdojnë ta bëjnë pothuajse të gjithë. I madh e i vogël. Si t’u jepet mundësia që të jenë “dikushi” në këtë shtetin tonë! Nuk kanë peshore fare!

Kanë humbur ndjenjën e realitetit se ku po jetojnë. Kolluqet, lluksi qeveritar, veturat e shtrenjta, telefonat me mbulesë pa kufij, drekat e darkat në faturë të shtetit, mëditjet e pandalshme për çdo lëvizje që bëjnë, aty-këtu edhe ndonjë shoqërues apo shoqëruese me karakteristika të veçanta nga partneri apo partnerja që kanë në shtëpi.

Duket se në diskutimet e tyre “shoqërore”, kanë humbur po ashtu ndjenjën e vlerës së parasë. Zerot pas numrave tjerë rendor duket se nuk i kanë fort problem. Nëse diçka është me një zero më shumë apo një zero më pak. Sikur të flisnin për kunguj apo për gurë të mëhalles.

Afaristët ankohen se po ua “nxjerrin shpirtin”, qeveritarët lavdohen sa të zotët janë në “negociim” të tenderëve, punësimeve apo favoreve të ndryshme. Bankat ankohen për kredi të këqija, ndërsa qytetarët qajnë hallin për kushte mbijetese. Të punësuarit kritikojnë “ngarkesat” në punë, ndërsa të papunësuarit luten për një vend të thjeshtë pune. Mësimdhënësit mezi lidhin financiarisht muajin me muaj, ndërsa studentët përtojnë të lexojnë një libër për një provim, por falsifikojnë notat dhe blejnë diplomat. Drejtorët e shkollave ndërtojnë rutinë në zyre, prindërit “harrojnë” të kujdesen për fëmijët e tyre në shkollë, ndërsa nxënësit rrahen, therren e vriten për tema të tyre “të mëdha” fëmijërore. Pacientët duhet të përgatiten mirë me para saherë që “duan” të sëmuren, ndërsa mjekët “kujdesen” që asgjë të mos kalojë pa “tarifën” e vet.

Ky është aktualiteti i kthyer në rutinën tonë ditore. Fatkeqësisht! Rutinë që është vendosur kryekëput për shkak të qeverisjes së keqe. Për shkak të mungesës së plotë të vullnetit për të ndërtuar qeverisje të mirë. Për më keq, kjo rutinë dëmtuese ka arritur në këtë shkallë edhe për shkak të mungesës së dijes.

Qeveritarët e tashëm nuk kanë pasur as dije dhe as vullnet për të ndërtuar qeverisje të mirë. Nuk ka pasur as guximin që të distancohen, të paktën, individualisht nga keq-qeverisja, keq-përdorimi i skajshëm dhe manipulimet e panumërta gjatë këtyre viteve. Nuk kemi dëgjuar madje asnjërin prej tyre të jetë distancuar me këmbëngulje dhe të ketë kërkuar llogari pa asnjë kompromis për skandalet e panumërta, aferat korruptive, shpenzimet enorme, lluksin totalisht të panevojshëm, familjarizmin, klientalizmin e çka jo tjetër. 

Prandaj, rutina duhet të ndalet. Sipas Fjalorit të Oksfordit, fjala “rutinë” do të thotë “sekuencë e veprimeve të rregullta apo zakonshme që përcillen”. A dëshiron dikush që rutina të jetë përgjigjja për qeverisjen e ardhshme? A dëshiron dikush që menaxhimi i parasë publike të bëhet në këtë formë rutine?

Qeverisja e ardhshme ka për detyrë themelore të dalë nga kjo rutinë! Të gjitha këto praktika të ndërtuara deri më tash duhet të thyhen. Të hudhen në plehra.
Një moment i ri duhet të ndërtohet. Rutina dëmton!


Botuar në TRIBUNA, 13 mars 2014, fq. 6

No comments: